I shohim çdo ditë dhe influencohemi nga to; Vajzat që të gjithë ne i ndjekim. Megi Pojani kryeson listën

Te rekomanduara

Shperndaje

Ke një telefon në dorë dhe klikon ikonën e aplikacionit të Instagram. Të shfaqen të parët rrathët e Instastory-ve, ku sipas algoritmit të Instagramit, vendet e para i zënë pikërisht personazhet që ne klikojmë më shpesh dhe inspirohemi nga ta. Siç të gjithë e dimë, jo domosdoshmërisht numri i lartë i ndjekësve tregon impaktin tek publiku. Ndonjëherë shifra mbetet thjesht në kuadrin e shifrës, dhe influenca në publik, është një gjë tjetër. Nga jeta familjare, blogjet e gatimeve, atraksionet më të veçanta turistike, stili i jetesës jashtë Shqipërisë e deri tek temat më tabu rreth seksit, këto janë influencueset që të paktën një herë, keni mësuar diçka të re nga to.



1.Motrat Pojani- Megi, Ina, Marsela

Gjithçka nisi 3 vite më parë, me 5 vajzat e pandashme të Hostel by Anabel, ku ndër to, ajo që vazhdon dhe i reziston konkurrencës së ashpër të qindra vajzave të bukura shqiptare, është Megi Pojani. Talenti i saj në aktrim u vu re shpejt nga syri i audiencës, të cilët filluan ta simpatizojnë jo thjesht për bukurinë dhe talentin, por dhe për çiltërsinë dhe transparencën e saj. Një personazh me të tillë karizëm, i kishte munguar “pistës së vrapuesve të zakonshme”. Nga gazetare në Anabel, sot Megi numëron në Instagram mbi 400 mijë ndjekës, falë përkushtimit dhe punës, duke qëndruar gjithnjë konsistente dhe duke mos hequr dorë nga të qenit “e dukshme”. Së fundmi, Megi ka marrë pjesë në serialin “H.O.T”, në rolin e Xhenit. Karriera e saj është një spektër i larmishëm me pozicione si moderatore, modele dhe aktore.
Dy motrat e saj, Ina dhe Marsela, janë po ashtu gjerësisht të njohura për publikun, kryesisht nga vajzat. Ina ushqen talentin e saj për gatim, duke mbajtur gjithnjë në korrent audiencën, me receta dhe gatime të cilat shumë shpejt bëhen virale mes vajzave në Shqipëri. Siç ka deklaruar dhe vetë, pasioni i saj për gatimin ka lindur në moshë të vogël, ku më pas ka ndjekur dhe programe internshipi në Shqipëri dhe jashtë vendit. Krijuesja e dyqanit online të ëmbëlsirave “Dhëmbi Ëmbël”, është motra më e vogël nga të treja.
Marsela, motra e madhe e Megit dhe Inës, ndiqet kryesisht për këshillat që jep mbi stilin e jetesës, ushqyerjes, modës e udhëtimeve. Ndërveprimi i saj me ndjekëset është mjaft i lartë, ku rubrika “Më bëj një pyetje”, duket të jetë më e suksesshmja. Pozicioni i saj në “mbretërinë e suksesit” që po ndërtojnë motrat Pojani, është kryesisht menaxhues, duke marrë në kontroll fushën e marketingut për të treja ato. Stili tejet “popullor dhe tradicional” që ato shfaqin në rrjete sociale, është kaq pranë realitetit e për këtë arsye, kanë fituar dhe dashamirësinë e publikut.

2.Lori Hoxha

Aksionerja e “Top Channel” dhe “Digitalb”, numëron afro 1 milionë ndjekës në Instagram. Kontenti i saj përmban kryesisht stil jetese të shtrenjtë, azhornim në trendet e fundit, grimca nga destinacionet luksoze të udhëtimeve dhe rrallë herë copëza nga përditshmëria e saj e zakonshme. Profili i saj i cili daton që prej 2014 ka në total 868 postime. Lori gjithashtu angazhohet me pyetësorë në rrjetet e saj sociale, ku ndjekësit i vënë në dukje thjeshtësinë në përgjigje dhe komunikim.

3.Sarah Berisha

Ëndrra e një vajze, e cila nga blogere e zakonshme, rrjedha e famës e çoi në një sukses gjigand, si moderimi. Një vajzë e thjeshtë nga Durrësi, e cila u qëndroi e vendosur dëshirave të saj dhe pas famës që mori në “Big Brother Vip”, fitoi pozicionin e moderatores së emisionit “Kosherja”. Nga eksperienca e saj në BBV, Sarah nuk doli e fituar vetëm profesionalisht, por gjithashtu arriti të krijojë dhe të mbajë, edhe jashtë shtëpisë, një lidhje me DJ PM.

4. Aulona Musta

Moderatore e suksesshme që në fillimet e saj, Aulona Musta sot numëron mbi 300 mijë ndjekës në Instagram. Të gjithë e mbajmë mend emisionin “Thumb”, që ajo dhe Fatma Haxhialiu drejtonin para shumë viteve. Jo vetëm televizionit, por Aulona i ka dedikuar jetën dhe stilit të shëndetshëm të jetesës. Programet e saj ushqimore dhe fitnesi, janë më të ndjekurat dhe më të suksesshmet në Shqipëri, të cilat kanë ndryshuar jetën e qindra personave që vuanin nga mbipesha.

5.Zhaklin Lekatari

Prej 6 vitesh, blogerja Zhaklin Lekatari është në krye të blogut të saj “Tabu.al”, i cili në fillimet e tij, shpërtheu pasi cekte tema të cilat shqiptarët, me thënë të drejtën, nuk kishin shumë qejf ti zinin në gojë, le më pastaj që dikush të shkruante për to, me të njëjtën lirshmëri siç shkruanin dhe për politikën. Instagrami i saj, ndonëse nuk numëron shumë ndjekës, Zhaklin në TikTok ka më shumë se 150 mijë persona që preferojnë ti shikojnë videot, të cilat janë kryesisht me karakter informues mbi seksin dhe marrëdhëniet në çift.

6.Ina Kollçaku

Ka testuar karrierën e saj në muzikë, por fati kishte rezervuar një stol më të mirë për të. E diplomuar për Psikologji, Ina vodhi zemrën e shumë djemve dhe vajzave që me pjesëmarrjen e saj në “Për’puthen 1”, ku krijoi figurën e një femre të pavarur dhe të hekurt. Puna e saj e vazhdueshme bëri që ajo sot të jetë në panelin e “Rrethi Katror” në “E Diell”. Gjithashtu së fundmi, Ina ka sprovuar veten në fushën e aktrimit, ku ka marrë pjesë në komedinë “Kur ikën macja”. Instagrami i saj numëron rreth 120 mijë ndjekës, ku po ashtu dhe Ina, qëndron në kontakt të vazhdueshëm me ndjekësit, nëpërmjet pyetësorëve.

7.Estela Ujka

Blogu i një nëne qe ndan gjithçka me ndjekësit, që nga prindërimi e deri te udhëtimet. Estela Ujka, nënë e tre fëmijëve, e ka përqëndruar jetën e saj mes Tiranës dhe Amerikës, ku dy nga fëmijët e saj, i ka sjellë në jetë atje. Blogerja 40-vjeçare ka ndarë shpesh herë foto nga karriera e saj para 20 viteve si modele, ku në një nga fotosesionet e atëhershme, kishte pozuar dhe për Revistën Klan. Ajo ka qenë gjithnjë një strehë inspirimi për kauza delikate që dhunojnë “nderin” e vajzave sot.

8.Sara Karaj

Një studente e arkitekturës e cila tashmë drejton një linjë kozmetikë tej mase të suksesshme. Sara Karaj e nisi rrugën drejt famës nëpërmjet vlogjeve të saj në YouTube, ku që asokohe konsiderohej influencer. Blogerja ka sjellë shpesh trende të reja për rininë tonë, që nga videot mbi grimin e deri tek stili i saj i jetesës në përgjithësi. Sot, Sara është krijuese dhe drejtuese e SKosmetics, industri në të cilën ka qenë e përfshirë qe në ditën e parë që është bërë personazh publik. Ajo është gjithashtu dhe nënë e një fëmije 2-vjeçar.

9.Dalina Buzi

Dalina nuk ka hezituar kurrë të ndajë shumë nga jeta e saj me publikun. Një mendje inovative si e saja, ka sjellë në jetë prodhime që janë ndjekur dhe dashur nga publiku i gjerë. “Hostel by Anabel”, “Si n’jetë”, “Love Likes Tirana” “SNOB”, kanë qenë të gjitha prodhime të saj, dhe ne të gjithë i kemi ndjekur. Studente e Shkencave Politike në Amerikë, Dalina nuk e vazhdoi kurrë karrierën për të cilën dhe studioi, por ka rrëfyer se ëndrra e saj më e madhe ka qenë të bëhej regjisore filmash, rrugë në të cilën tashmë ka hedhur hapat e parë. Dalina hapi një llogari të sajën në Instagram pikërisht këtë vit, ku më parë përdorte llogarinë e “Anabel Magazine”. Notat e ironisë dhe sarkazmës nuk mungojnë kurrë tek gazetarja, sidomos në videot në TikTok, të cilat janë mjaft virale. Aktualisht, përveç angazhimeve individuale, ajo është pjesë e emisionit “Goca dhe Gra”.

10.Jona Spahiu

Një herë e një kohë gazetare, sot Jona Spahiu është gruaja e një biznesmeni të fuqishëm dhe jeton një jetë relativisht të shtrenjtë dhe luksoze. E ndjekur për stilin e saj të veçantë, Jona nuk nguron kurrë të ndajë me 175 mijë ndjekësit e saj foto nga pushimet ekzotike apo nga destinacionet që çdokush lakmon.

11.Emina Cunmulaj

Historia e Hirushes qenka e vërtetë! Këtë na ka bërë të kuptojmë modelja Emina Cunmulaj, e cila u lind në Michigan të Shteteve të Bashkuara por u kthye në fshatin e prindërve në Mal të Zi në moshën 5-vjeçare. Deri në moshën 15-vjeçare ka jetuar në atë fshat të vogël dhe me kushte të vështira ekonomike. Sot Emina është nënë e tre fëmijëve, dy vajzave dhe një djali. Jeta e saj ndryshoi rrënjësisht që pas njohjes me biznesmenin iranian, me të cilin tashmë ka 12 vite e martuar.

12.Armina Mevlani

31-vjeçarja Armina Mevlani është gjithashtu inspirim për shumë vajza të reja. Me një stil krejt të veçantë, Armina numëron 2 milionë ndjekës në Instagram, një shifër kjo relativisht e lartë në krahasim me blogeret e tjera në vend. Kohët e fundit, ajo ka marrë dhe pozicionin e gazetares, ku në emisionin “Goca dhe Gra”, ka rolin e opinionistes së panelit.

13.Kristi Janku (Kikilicious)

Kristi, vajza e ëmbël me pasion gatimin, ka një audiencë besnike që ndjekin vazhdimisht si në Instagram, ashtu dhe në YouTube. Recetat e saj variojnë nga ato tradicionalet, deri tek kombinimet e shijshme të kuzhinave të huaja. Kristi e ka përkthyer pasionin e saj më të madh, në burim të ardhurash. Ajo ka qenë e ftuar jo pak herë në panele të studiove të mëdha, si njohëse e mirë e kuzhinës dhe gatimit.

14.Anxhelina Hadërgjonaj

Shumica e njohin si vajza e Albërie Hadërgjonaj, por nga Instagrami, Anxhelina njihet si vajza “trendy” dhe me klas, e cila në çdo dalje të sajën, shfaqet e kuruar në detaje. Me një stil unik, Anxhelina është bërë inspirim për shumë vajza të reja, që nga përzgjedhja e veshjeve e deri tek format e pozave. Prej kohësh, Anxhelina jeton në Los Angeles, bashkë me mikun e saj, make-up artistin Ariel, i cili është gjithashtu dhe mik shumë i afërt i familjes Kardashian./ PAMFLETI MAGAZINE

spot_imgspot_imgspot_img